Gjakovë- Gjykata Themelore e Gjakovës, e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht Riza Krojin, i cili akuzohej për vjedhje të identitetit.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast është bërë të hënën, nga gjykatësi Ilir Rashkaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimit, dënimi i shqiptuar me 6 muaj burgim ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.
Sipas gjykatësit Rashkaj, palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së 10 dhjetorit 2019, i akuzuari Bajram Kokalla, në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës nuk ka përfillur udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilin përcaktohen kriteret e fitimit të shtetësisë, nuk e ka bërë verifikimin e palës në Zyrën e Gjendjes Civile, duke e regjistruar dhe bërë rishkrimin e datës së lindjes së tij me gjenerim të numrit personal, i cili regjistrim i ka shërbyer më pas të pandehurit Riza Kroj, që në emër të palës së dëmtuar M.B., të aplikojë dhe të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
Me këto veprime, i pandehuri Bajram Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.
Ndërkaq, i akuzuari Riza Kroj, ngarkohet se më 10 nëntor 2019 në Gjakovë, tek Zyra e Gjendjes Civile, gjatë aplikimit për letërnjoftim të Republikës së Kosovës, ka prezentuar dokumentin kroat të pasluftës me përmbajtje “Dozvola Boravka”, duke u regjistruar në sistemin e Gjendjes Civile në emër të të dëmtuarit M.B.
Me këto veprime, i pandehuri Riza Kroj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” nga neni 336, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi