Strukturat shëndetësore po vijojnë testimet për COVID-19, sipas përkufizimit të rastit, për çdo rast të dyshuar, në Laboratorin e Virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, ku në total numri i rasteve të tesuara ka shkuar në 59. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID-19.
Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit te ri.
Rastet e testuara deri tani i përkasin kryesisht: Tiranës, Shkodrës, Durrës, Fierit, Lezhës dhe Vlorës.
ISHP ka kapacitetet laboratorike për të kryer diagnozën e plotë të COVID-19 dhe kemi kapacitetet e nevojshme për këtë fazë ku jemi por edhe për faza të tjera, për kite reagent për analizat. Ne kryejmë testet sipas përkufizimit të rastit.
Komiteti Teknik për COVID-19 ka përcaktuar se si do veprohet për rastin 1 e më tej në drejtim të menaxhimit klinik si dhe ndjekjes së personave të kontaktit dhe karantinimin e tyre.
Spitali Infektiv do të jetë spitali që do të menaxhojë rastet e para, me një staf të përcaktuar dhe të trajnuar dhe në varësi të numrit të rasteve janë përcaktuar spitalet COVID 1 dhe COVID 2 si dhe spitalet dhe stafi mjekësor ku do të zhvendosen pacientët ekzistues.
Sipas të dhënave të Njësive Shëndetësore kufitare, në 24 orët e fundit në te gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 23,035 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës.
Në 24 orët e fundit në nr. 127 ka patur 1391 thirrje, nga të cilat 29 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për udhëtarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmure apo të dyshuar për COVID19 të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.
Si dhe rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenja të infeksionit viral respirator të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si duhet të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.