Një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit, është vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Ndërsa për këtë tashmë dihen edhe emrat. Kjo vepër u krye pikërisht nga zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, i cili punonte në këtë institucion prej 11 vjetësh, por që tani është në duar të Policisë së Kosovës.
Ky i fundit është suspenduar menjëherë nga pozita që kishte, ndërsa ai është duke u mbajtur në paraburgim, e cila masë iu caktua prej 30 ditësh.
IndeksOnline, ka kërkuar nga Policia e Kosovës, të dhëna statistikore, në lidhje me zyrtarët e arrestuar për veprën penale: “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, për periudhën kohore janar-shkurt të këtij viti.
Sipas përgjigjes del, që brenda të së njëjtës periudhë në këtë vit janë arrestuar 56 persona, ndërsa në po të njëjtën periudhë kohore, në vitin 2020 janë vënë në pranga 119 të zyrtarë që keqpërdorën detyrën.
Në bazë të këtyre të dhënave, del që në këtë vit, brenda 9 muajve, janë arrestuar 63 persona më pak se në vitin që lamë pas.
Ndryshe, në fillim të këtij muaji Ambasada e SHBA-së në Kosovë është tërhequr nga proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe kryeprokurorëve, pasi siç kanë thënë përmes një deklarate shtypi, “këtyre proceseve u mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit”.
Prokurorët, sipas Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo në bazë të përkatësisë politike ose lidhjeve.