50 euro është gjoba të cilën do të marrin qytetarët të cilët gjatë kalimit të rrugës si këmbësore do të përdorin telefonin mobil, kanë dëgjueset e vendosura apo pajisje të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjobë e njëjtë do të jetë edhe nëse qytetarët bëjnë veprime të lartcekura edhe gjatë kalimit të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve.
Kështu ka përcaktuar Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka hyrë në fuqi më 03.04.2024, ligj i cili ka ashpërsuar masat ndëshkuese për qytetarët që përdorin telefonin kur janë në trafik.
Masat ndëshkuese janë ashpërsuar edhe për shoferët e mjeteve me veprim motorik, të cilëve gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera, të cilat sipas Policisë do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit.
Mosrespektimi i kësaj rregulle sipas Policisë ndëshkohet me masë në pikë negative e edhe me gjobë.Ky ligj përcakton se kur shoferi vepron për herë të parë në shkelje të rregullit dënohet me 1 pikë negative dhe gjobë prej 100 eurosh.Sipas PK-së, kur ky veprim bëhet për të dytën herë shoferi dënohet me 2 pikë negative, 2 muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 200 euro gjobë.