5 personat nga Peja që sonte rezultuan Pozitiv, ishin në ditën e 12-të të izolimit

 

Në mesin e 6 personave që sonte rezultuan Pozitiv me COVID 19, 5 prej tyre janë nga komuna e Pejës.

Rastin për ‘RADIO 1’ e konfirmoi sonte Petrit Loci – Drejtor i Shëndetësisë në komunën e Pejës.

Lajmi i mirë është se të gjithë këta persona (5) që sonte rezultuan pozitiv kanë qenë në ditën e 10-të izolimit.

Përkundër rezultateve të testeve pozitive që numrin e të infektuarve në komunën e Pejës e çojnë (deri më tash) në 6, nuk ka vend për shqetësim meqë rastet në fjalë, janë raste kontakti me të infektuarën e parë nga fshati Llugaxhi.

“Të gjithë, 5 personat që rezultuan Pozitiv nga komuna e Pejës, ka qenë në ditën e dymbëdhjetë të izolimit, ose e kanë kaluar ditën e dhjetë dhe të njejtit ishin nën mbikëqyrje të policisë dhe autoriteteve shëndetësore, ndaj kjo e ul rrezikun e shpërthimit eventual. Pra, gjendja vazhdon të mbetet nën kontroll të institucioneve të shëndetit publik. Të gjitha rastet janë raste kontakti siç e thash dhe vijnë nga dy familje, njëra në lagjen “Dardani” të Pejës, e tjetra në Llugagji”-tha Loci në ‘RADIO 1’.

Tutje drejtori Loci konfirmoi se edhe një pacient tjetër nga qyteti i Pejës, me disa simptoma, është dërguar në Klinikën Infektive në QKUK dhe priten rezultatet. ‘RADIO 1’ edhe për këtë rast do tju mbajë të informuar me rezultatin e tij.

Drejtori i Shëndetësisë së Pejës Petrit Loci edhe njëherë ka apeluar tek qytetarët për kujdes dhe masa prevenuese./Njeshi/