Sasia e armëve dhe municionit të konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të fundit në veri të vendit, kap vlerën mbi 5 milionë euro.
Kjo sasi e armatimit dhe municioneve tregon qartë se nuk mund të sigurohet nga një grup apo individ, por ka dyshime të bazuara se ka qenë një aksion mirë i organizuar dhe me përkrahje të fuqishme.
Kështu vlerëson Artan Zaimi, nga kompania “Relod” e specializuar dhe licencuar për shitjen e armëve në Republikën e Kosovës.
Zaimi në një intervistë për ‘IndeksOnline’ ka treguar se sasia e armëve dhe municionit të konfiskuar nga Policia e Kosovës dhe ekspozuar, sikur të përdorej do të mund të sillte pasoja me përmasa kolosale.
“Prej asaj që pamë, që u konfiskua te grupi terrorist, vërehet që kjo sasi është mjaft e konsiderueshme dhe shumë e shtrenjtë.
Mund të themi se atë çka pamë aty, pajisjet kapin vlerën milionshe, si në tregun e zi po ashtu edhe në tregun e llojeve të tyre”, ka thënë Zaimi.
Ai ka thënë se prapa grupit terrorist sigurisht që qëndron dikush i fortë sepse është e pamundur të sigurohej i gjithë ai arsenali i armëve, që tashmë ndodhet në duart e Policisë së Kosovës.
Vlera e arsenalit të armëve të konfiskuara mund të kalojë 5 milion euro. “Në bazë të asaj që pamë, e që ka edhe gjëra të tjera që nuk i kemi parë, mirëpo lehtë mund ta kalojë edhe 5 milionëshin në tregun aktual. Duke mos e përmend edhe pjesën logjistike.
Për me ardh gjithë ajo sasi e armatimit në duar të tyre, kjo vlerë mundet të dyfishohet. Vlerë që jo gjithkush mundet me e dhënë të saktë”, tha Zaimi. Gjatë ekspozimit të armëve, aty u pa se kishte llojshmëri të municioneve, armatimit dhe pajisjeve të tjera. “Disa prej tyre ishin të reja të pa përdorura.
Kish edhe nga ato që janë armë të përdoruara 1 apo 2 herë, por shumica pjesa tjetër ishte e papërdorur. Qoftë ndonjë trajnim apo diçka që kanë bërë.
Armët ishin të reja, municion i ri, modelet e armëve ishin modele të vjetra dhe mund të vijnë qoftë nga fabrika apo depot të tjera”, ka deklaruar Artan Zaimi, nga kompania “Relod” e specializuar dhe licencuar për shitjen e armëve.
Ai ka thënë se armatimi i gjetur nga Policia e Kosovës te grupi terrorist përdoret nga njësitet e specializuara ushtarake dhe policore.
Sipas Zaimit, Policia e Kosovës me aksionin e fundit anti-terrorist ka dëshmuar se është një prej policive më të mira dhe më elitare në krejt Rajonin e Ballkanit.
“Profesionalizmi që ata e kanë treguar, para dhe gjatë aksionit ka qenë perfekt. Kjo dëshmon se ata kanë kapacitete njerëzore për me i dal ballë çdo rreziku./