Dita e sotme ishte e kobshme për familjen Berisha nga Podujeva. 45-vjeçari, Jakup Berisha, u nis në punë si çdo ditë tjetër, pa e ditur se një lëndim në vendin e punës do t’i shkaktonte atij vdekjen.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Berisha i cili ishte punëtor në kompaninë e ndërtimit ‘Brezi Kufitar’, u rrëzua nga një lartësi teksa po punonte në lagjen ‘Marigona Hill’ në Hajvali të Prishtinës, ku si pasojë mori lëndime të rënda trupore.
Ai u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, por pavarësisht intervenimit të stafit mjekësor, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe si pasojë e kësaj ndërroi jetë.
Lajmin për vdekjen e të ndjerit e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali mjeku kujdestar, Agron Çitaku, i cili tha se 45-vjeçari ka rënë nga një lartësi mesatare.
E bashkë me Berishën u lëndua edhe një tjetër punëtor, vetëm 21-vjeçar, i cili po vazhdon trajtimin mjekësor si pasojë e lëndimeve të rënda që ka marrë.
Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente, për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i Shtetit.
Me vendim të tij, rasti është iniciuar ‘Hetim mbi vdekjen’ dhe trupi i pajetë viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë, por të njëjtit ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion, në lidhje me rastin.
Sinjai/