Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe sot në fshatin Koretin të Kamenicës, ku një person ka humbur jetën pas lëndimeve të marra në vendin e tij të punës,
Sinjali mëson se viktima është 45-vjeçari, Kujtim Ibriqi, nga Komorani i Drenasit. I ndjeri ishte punëtor i kompanisë ‘Euroing’ nga Rahoveci.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 13:00 ku derisa po punonte në sallën e sporteve në Koretin, ku gjatë punimeve, Ibriqi është rrëzuar nga skelet e ndërtimit dhe ka marrë lëndime të rënda.
Ndonëse ai u dërgua me shpejtësi në Emergjencën e Kamenicës e më pas edhe në Gjilan, 45-vjeçari s’arriti t’i përballojë plagët e marra.
Ndërkohë edhe familjarët e të ndjerit kanë dhënë njoftimin mortor, ku bëhet e ditur se varrimi do të bëhet nesë në orën 15:00 në varrezat e Komoranit.
Ndryshe, me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse’ dhe ‘Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.