Katër shtetas serbë kanë tentuar dje të hyjnë në Kosovë nga pika kufitare në Bërnjak, me teste PCR negative të falsifikuara.
Policia e Kosovës ka njoftuar se personat e dyshuar në hyrje të vendkalimit kufitar kishin prezantuar testin PCR negativ të falsifikuar.
Policia ka shtuar se në konsultim me prokurorin ndaj të dyshuarave është inicuar ‘lënda e rastit Falsifikim i dokumentit’ dhe personave i është refuzuar hyrja në Kosovë.
Në këtë rast kanë qenë të përfshirë dy burra dhe dy gra. Ata kanë tentuar të hyjnë në Kosovë në ora 14:40.
Policia ka shtuar se rasti është në procedurë të rregullt.
Qeveria e Kosovës më 4 shkurt ka miratuar masat e reja për COVID-19. Sipas masave, hyrja në Kosovë u lejohet personave që posedojnë certifikatën e vaksinimit me dy vaksina apo me një nëse është nga Johnson&Johnson , vetëm më një dozë bashkë me testin PCR dhe personi që ka kaluar COVID-19 në tre muajtë e fundit ose nëse është testuar negative me test PCR në 48 orët e fundit.