Në një ditë që për Klinën dhe mbarë Kosovën mbetet e gdhendur në kujtesë si simbol i dhimbjes, por edhe i krenarisë kombëtare, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka kujtuar me pietet të lartë dëshmorët dhe martirët e fshatit Qupevë, të rënë më 4 prill 1999 në altarin e lirisë.
“Katër prilli nuk është thjesht një datë në kalendar – është kujtesa e gjallë e sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë,” u shpreh Elezaj.
Në mesin e të kujtuarve ishin dëshmorët Haki B. Gashi, Liman B. Gashi, Safet F. Gashi, Isuf F. Gashi dhe Musë S. Gashi – bij të fshatit Qupevë, të cilët ranë me dinjitet për një Kosovë të lirë. Po ashtu, me nderim u përkujtuan edhe martirët Arif V. Pantina dhe Sadri F. Gashi.
Kryetari Elezaj, së bashku me kryesuesin e Kuvendit Komunal Fadil Gashi, komandantin e Policisë në Klinë Ragip Bytyqi, bashkëpunëtorë të komunës, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të shumtë, morën pjesë në homazhe dhe vendosën kurora lulesh pranë pllakës përkujtimore.
“Në çdo përvjetor, kujtimi për ta na bashkon në dhembje, por edhe në krenari. Ata nuk janë të harruar – ata janë në themelet e lirisë që e jetojmë sot,” tha Elezaj.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të Qupeves dhe gjithë Kosovës!