17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Edhe pse kanë kaluar 38 vite, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.
Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.
Atentati ka ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë prej tre metrave ka shtënë.
Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit.
Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur. Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që Bardhoshit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe.
Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
“Der Spiegel” (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë “Ka qenë UDB-ja”.
Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibrit 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.
Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: “Duhet qëlluar me katër plumba, tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”.
Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në ato vite.