Aksidente të shumta automobilistike shkaktohen në baza ditore në vendin tonë.
Pasojat mund të jenë nga më të lehta, për të vazhduar deri në rastet kur mund të kenë fund tragjik, raporton Kiks Kosova.
Vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2023 kanë ndodhur 309 mijë e 403 aksidente, ku prej tyre 45 ishin me fatalitet, si pasojë e të cilëve humbën jetën 50 persona. Mirëpo, mjaft të shpeshtë në vendin tonë po del të jenë edhe aksidentet mes automjeteve dhe trenave.
Për një arsye apo për një tjetër, këto raste të aksidenteve shpeshherë dinë të përfundojnë deri në fatalitet.
Në fillim të këtij muaji humbi jetën një 25-vjeçar nga qyteti i Klinës. Në aksidentin mes trenit dhe veturës, viktima A.B. kishte pësuar plagë të rënda, të cilave nuk kishte arritur t’iu bënte ballë.
Në maj të po këtij viti, një aksident tjetër mes një veture dhe treni kishte ndodhur në hekurudhat e Fushë-Kosovës. Në këtë rast, lëndimet ishin të lehta, por aksidenti kishte përfunduar me dëme të mëdha materiale.
Në hekurudhat e qytetit të Prishtinës kishte ndodhur aksidenti tjetër në po të njëjtin muaj, maj 2023. Nga ky aksident kishin mbetur të lënduar dy persona, të cilët ishin duke vozitur me veturë. Personat e lënduar ishin dërguar për tretman mjekësor, si pasojë e plagëve të marra.
Aksident, i cili kishte përfunduar me dëme, kishte ndodhur edhe vitin e kaluar në Klinë gjatë muajit maj, në hekurudhën Fushë Kosovë-Pejë. Ky aksident kishte ndodhur mes trenit që po kalonte dhe një kamionete.
Me fatalitet kishte përfunduar edhe rasti i aksidentit të një këmbësori dhe trenit në Klinë, gjatë muajit qershor të këtij viti. Në orën 6 të mëngjesit, gjersa ishte duke shkuar në punë, viktima N.H. u godit për vdekje nga treni në këto hekurudha.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, rritje të këtyre rasteve kishte pasur gjatë vitit 2021, vit në të cilin kishin ndodhur 13 aksidente të tilla. Ndërsa sa i përket vitit 2023, vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, në regjistrin e Policisë u regjistruan 5 raste të aksidenteve me tren