Burime të ‘RADIO 1’, të afërta me Policinë Rajonale të Pejës-stacioni në Deçan, kanë deklaruar se personi i cili nxiti urrejtje dhe mosdurim ndëretknik, duke plasuar një video fyese, në Deçan, me datën 24 korrik, me urdhër të prokrurit të Pejës, Dorjan Juniku, është ndaluar dhe kapur në Merdare, në pikëkalimin kufitar Kosovë-Serbi.
Ai, me urdhër të Prokurorit në fjalë, nga efektivët policorë është transportuar në Pejë, ku ka dalur para Prokurorisë, e më pas para Gjykatës.
Bëhet fjalë per Sasha Zlatkoviç, shtetas i Serbisë, i lindur në Beograd, lagjen Borca, i cili me 24 korrik duke filmuar nga qendra e qytetit të Deçanit, nxori në rrjete sociale, një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.
Falë veprimeve të shpejta operative nga dhoma operative e Policisë së Deçanit dhe informacionit bazik si material fillestar për organin e akuzës, është vënë në lëvizje të menjëhershme Prokurori i shtetit Dorjan Juniku, me urdhër të të cilit, efektivët e policisë së Kosovës, kanë arritur që të njejtin ta ndalojnë dhe arrestojnë duke dalur nga Kosova, në pikëkalimin kufitar në Merdare.
Pas ndalimit për 48 orë, i njejti, para prokurorit ka pranuar vërtetësinë e video-xhirimit, për çfarë sipas ligjeve në fuqi ka dalur para Gjykatës Themelore të Pejës.
Prokurori i shtetit, Juniku, pasi ka lëshuar aktvendimin për ndalim prej 48 orësh, për të njejtin, (Zlatkoviç), duke shfrytëzuar Nenin 141 të KRPK-së, me motivacion ‘nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit…’, ka kërkuar para Gjykatës Themelore në Pejë – dega në Deçan, edhe caktimin e masës së paraburgimit, e cila si e tillë është aprovuar, dhe të pandehurit Zlatkoviç, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndërsa lënda është deleguar në trajtim të mëtejmë dhe vendosje në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës./Njeshi&RADIO 1/