3 vite burgim për Naser Osmanin dhe asistentin e Bujar Bukoshit për Fondin e 3 përqindëshit

Naser Osmani dhe asistenti i Bujar Bukoshit sot janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet burg për Fondin e 3 përqindëshit.

Sipas komunikatës ata detyrohen që në emër të dëmit të shkaktuar, në mënyrë solidare shumën prej 154, 132.47 euro, t’i kthejnë në buxhetin e Republikës se Kosovës.

Komunikata:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të
akuzuarve N.O dhe A.G sepse në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Shpërdorim nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës se Kosovës.

Të akuzuarit N.O dhe A.G janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) viteve për secilin veç e veç, dënim të cilin të akuzuarit do ta mbajnë pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.

Detyrohen të akuzuarit N.O dhe A.G që në emër të dëmit të shkaktuar, në mënyrë solidare shumën prej 154, 132.47 euro, t’i kthejnë në buxhetin e Republikës se Kosovës.

Në bazë të nenit 363 par.1 pika 1.3 të KPPRK-së është refuzuar aktakuza për të akuzuarit N.O A.G për veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 249 par.1 të KPK-së, për shkak se gjykata ka konstatuar se vepra penale është parashkruar dhe atë gjatë fazës së hetimeve në prokurori.

Të akuzuarit N.O dhe A.G së bashku me të akuzuarin B.B për të cilin është veçuar procedura, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri në vitin 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetës apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme kishin përvetësuar pasurinë e luajtshme
të personave të tjerë, e cila iu është besuar atyre, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë se Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimumi 3% të të hyrave të tyre personale mujore, ashtu që kishin tërhequr shumën prej 154, 132.47 euro, në kesh dhe nuk kishin arsyetuar
dhe dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume.

Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.