Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku vajzat dhe gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat me të cilët kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një konflikt familjar që dyshohet se ka ndodhur para një muaji në Isniq të Deçanit, u raportua së fundmi në Polici nga një 29-vjeçare.
Këtë herë, viktima i denoncoi dy vëllezërit për dhunën fizike që kanë ushtruar ndaj saj.
Sinjali mëson se viktima ka kërkuar ndihmë në Polici, ku ka deklaruar se vëllezërit e saj e kanë mbyllur në dhomë pasi e kanë rrahur, si dhe ia kanë marrë paratë që i kishte.
Si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tyre dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.