Sot mbushen 24 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushefci dhe mjekut Hazir Mala.
Me këtë rast, në nderim të jetës dhe veprës së tyre, do të mbahen homazhe te varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” në Prishtinë, në ora 11:00. Të pranishëm do të jenë zyrtarë të institucioneve, bashkëluftëtarë të heronjve e familjarë.
Ilir Konushefci u lind më 20 qershor 1969 në Llugë të Podujevës. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes. Shkollën fillore e kreu në Lluzhan, të mesmen në Podujevë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë në Ferizaj, të cilën nuk arriti ta përfundojë për shkak të aktiviteteve.
Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.
Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t`i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.
Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.