B.G., është dënuar më 24 vjet burgim nga Gjykata e Prizrenit. Ai akuzohej për vrasjen e vëllait të tij dhe armëmbajtje pa leje. Rasti sipas aktakuzës kishte ndodhur për çështje pronësore.
“B. G. më datë 17 mars 2019, në Suharekë pas një mosmarrëveshje paraprake rreth çështjeve pronësore, me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes, vëllain I. G., në atë mënyrë që hyn te dyert e oborrit të shtëpisë së K. G., me pistoletë-revole e markës HS – 9 cl. 9 x 19 mm, Ashtu që, me të shtënë një herë në drejtim të I. G., i cili kishte ardhur mysafir dhe pas të shtënës i plagosuri ikë brenda në shtëpi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Tutje në njoftim thuhet se “I akuzuari kishte filluar ta ndjekë atë, e dëmtuara N. G., pas dëgjimit të një zhurme, nga frika se mos është rrëzuar nipi e hap derën e shtëpisë e sheh B. G., i cili shtiu në drejtimin e saj dhe e plagos në regjionin e sipërm, në anën e djathtë të abdomenit. Ku i shkakton dëmtime të rënda trupore plagë hyrëse, tejshkuese me armë zjarri në regjionin e sipërm të djathtë të abdomenit, plagë dalëse në regjionin e djathtë gluteal, e përcjellur me shok hemoragjik, perforacion të zorrëve, thyerje të kockës së anës së djathtë të legenit dhe gjakderdhje në hapësira të lira të barkut. Me ç’rast me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë – konkretisht të dëmtuarës N. G.”
“Më pas duke i shkaktuar lëndime të lartcekura, i akuzuari B. G., kishte vazhduar ta ndjekë duke hyrë në dhomën ku ishte fshehur I. G. dhe në të shtënë katër herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke shkaktuar plagë nga arma e zjarrit në regjionet – e anës së jashtme të krahut të dorës së djathtë, e anës së majtë të gjoksit, e kërdhokullës së djathtë në skajin e sipërm, në pjesën e përparme dhe të sipërme të kofshës së këmbës së majtë dhe kofshës së këmbës së djathtë, në regjionin zverkor të kokës ku shihen tri plagë shqyese ndrydhëse si dhe dërmishje dhe gërvishje lëkurore të regjionit të ballit dhe të hundës, ashtu që nga veprimi dinamik i predhave të hedhur nga arma e zjarrit e që si rrjedhojë ka pasur gjakderdhje të brendshme dhe jashtme e cila ka ardhur si pasojë e dëmtimit të organeve vitale mushkërive, vije deri te vdekja e të ndjerit të I. G.,”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit