Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave të dërguara nga diaspora për familjet e tyre në Kosovë, ka arritur shifër rekord.
238.5 milionë euro janë dërguar nga vendet e tjera drejt Kosovës dhe kjo bazuar në raportin e fundit të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
“Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars 2022, vlera e remitancave ishte 238.5 milionë euro”, shkruan në raportin e BQK-së.
Sigurisht se remitencat në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe financiare në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore.
Në fakt, përgjatë viteve, dërgesat e parave nga diaspora, përbëjnë një burim të madh të të ardhurave në Kosovë. Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, remitancat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove.
Sipas të dhënave të BQK-së, remitancat më së shumti dërgohen nga Gjermania, Zvicra, Italia, Austria.
Qytetarët e Kosovës kryesisht jetojnë në numër më të madh në këto shtete.
Kosova ka varësi të madhe nga remitancave, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, apo 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850 mijë persona.
Me planin e Qeverisë është paraparë që nga viti i parë i qeverisjes, të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ka nisur ose jo zbatimi i këtij plani./Rtklive.com