235 policë të Kosovës janë të infektuar me COVID-19, 21 kanë vdekur

Prej marsit të vitit të kaluar kur nisën të shënoheshin rastet e para me COVID-19 në Kosovë, 21 policë humbën betejën me këtë sëmundje,

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një përgjigje për Gazetën Sinjali gjithashtu ka njoftuar se aktualisht, 235 punonjës të PK-së janë të infektuar me koronavirus.

“Informacionet e fundit tani janë; 235 punonjës të PK-së janë aktiv me COVID-19 dhe 21 punonjës kanë vdekur”, tha Kelani në një përgjigje për Sinjalin.

Kujtojmë se Policia e Kosovës vazhdon të përballet me mungesën e sigurimeve shëndetësore.

Në secilën palë zgjedhje, partitë politike premtojnë për sigurim shëndetësor dhe jetësor të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Aktualisht, sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në gjithë Kosovën janë 12.900 raste aktive me koronavirus. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 100.135 dhe deri sot janë regjistruar 2.039 raste të vdekjes.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 85.196 raste