230 mijë euro dëm, “Trainkos” zbulon manipulime me arkat fiskale – shkarkon 12 punëtorë

Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. ka njoftuar opinionin publik lidhur me një rast të dyshuar të manipulimit me arkat fiskale, që ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar.

Sipas njoftimit thuhet se pas një hetimi të brendshëm të ndërmarrjes, më pas edhe me mbështetje nga Administrata Tatimore e Kosovës, është zbuluar se ka pasur ndërhyrje dhe manipulim të të dhënave të arkave fiskale, duke fshehur dhe dëmtuar raportimet e shitjeve të biletave për një periudhë të gjatë kohore, që nga viti 2016 deri në fund të vitit 2024.

“Nga ky lexim ka rezultuar se ka dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të të dhënave, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore. Të gjitha këto dyshime janë dokumentuar e vërtetuar përmes leximeve nga personat e autorizuar përgjegjës të operatorit në fjalë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftimin e kompanisë bëhet e ditur se dëmi i shkaktuar deri tani kalon shumën prej 230 mijë eurosh, dhe “kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi.”

Ndërmarrja ka marrë masa disiplinore ndaj 12 punonjësve të dyshuar dhe ka shkëputur marrëdhënien e punës me ta.

Sipas njoftimit, Trainkos ka informuar organet e rendit dhe të hetuesisë, dhe ka kërkuar që “Prokuroria e vendit të nisë hetimet” për vepra penale, duke theksuar se manipulimet e bëra përbëjnë një shkelje të rëndë të ligjit.