21 vite nga vrasja e kapiten Shaqir Krasniqit – misteri që ende nuk është zbardhur

Me datë 6 prill 2004, rreth orës 20:00, në rrugën Grabanicë–Dollovë të Komunës së Klinës, u vra në një pritë Kapiten Shaqir Krasniqi – i njohur ndryshe edhe si Komandant Uka. Ishte vetëm 28 vjeç kur ra në pritë teksa udhëtonte me nënën e tij, e cila mbeti e plagosur nga sulmi.

Krasniqi ishte Epror në Shtabin e Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe njëherit ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kishte shërbyer me nder gjatë luftës për liri.

Vrasja e tij kishte tronditur opinionin publik në rajonin e Dukagjinit dhe më gjerë, por edhe pas dy dekadash, autoritetet nuk kanë arritur të zbulojnë autorët apo motivet e këtij akti tragjik. Ngjarja vazhdon të mbetet një nga rastet e pazgjidhura të pasluftës në Kosovë.

Familja e Kapiten Shaqir Krasniqit, bashkë me opinionin publik, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje që sot e asaj dite ka mbetur e mbuluar nga misteri.