Në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21 mijë8 e 460 banorë, duke shënuar një rritje me 18.2 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Vitet e fundit Shqipëria padyshim po përjeton zhvillime të rëndësishme sa i përket turizmit, por të huajt nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në periudhat sezonale. Një pjesë e tyre kërkojnë edhe të jetojnë në Shqipëri, raporton RTSH, transmeton Klankosova.tv.
Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2023 ka shënuar rekord të numrit të të huajve me leje qëndrimi. Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri vetëm në vitin 2023 ishte 12 mijë e 430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22.7 për qind, krahasuar me vitin 2022.
Por nga cilat vende u paraqit numri më i lartë i kërkesave për leje në vitin që lamë pas?
Sipas të dhënave, aplikimet sipas vendit të origjinës nga Kosova dhe Italia përbëjnë 28.5 për qind të aplikimeve gjithsej në 2023. Më pas vijnë Turqia, Bangladeshi dhe Egjipti.
Në total, të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve rezidentë në Shqipëri në vitin 2023, respektivisht me 3 mijë e 712, 3 mijë e 375 dhe 1 mijë e 693 banorë.
Në vitin 2023 të huajt me leje qëndrimi për arsye punësimi zënë 48.3 për qind të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 22.2 për qind, arsyet të tjera me 13.3 për qind, arsyet për qëllime humanitare me 12.4 për qind dhe arsyet për studime me 3.7 për qind.
Të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për punësim me një peshë prej 49 për qind, vihet re edhe një dominim i arsyes për studim me 17.7 për qind. Të huajt me origjinë nga Kosova kryesohen nga arsyet për bashkim familjar me 43.5 për qind. Të huajt me origjinë nga Turqia kryesohen nga arsyet për punësim me 71.1 për qind dhe arsyet për bashkim familjar me 25.8 për qind.