Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave që u mbajtën më 17 tetor.
Sipas këtij rezultati, në balotazh do të shkojnë Gjakova, Drenasi, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, komuna e Shtimes, Suhareka, komuna e Vitisë, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha, Hani i Elezit, komuna e Kllokotit.
Ndërsa, Mitrovica e jugut, Peja, Leposaviqi, Lipjani, Deçani, Novobërda, Skenderaj, komuna e Shtërpcës, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Graqanica, Parteshi, Mitrovica e veriut tashmë kanë zgjedhur kryetaret e saj.
Anëtarët e KQZ-së shprehën dilemat e tyre lidhur me shpalljen e rezultateve të komunës së Hanit të Elezit, për të cilën procesi është ende në kontekst gjyqësor.
Lidhur me këtë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se sipas një përgjigjeje nga Gjykata Supreme, rezultati i kësaj komune vetëm do të shpallet e nuk do të certifikohet.
“Rezultati për komunën e Hanit të Elezit nuk do të certifikohet, por vetëm do të shpallet. Sipas shpalljes, Mehmet Ballazhi kalon në raundin e parë”, tha ai.
Ai shpalli edhe rezultatet përfundimtare të të të gjitha komunave tjera, e të cilat u miratuan.
“Komuna e Deçanit nuk shkon në raund të dytë, Bashkim Ramosaj del fitues në këto zgjedhje për kryetar komune. Komuna e Gjakovës shkon në raundin e dytë ku do të garojnë Mimoza Kusari Lila dhe Ardian Gjini. Në komunën e Gjilanit në raund te dytë shkon Lutfi Haziri dhe Alban Hyseni. Në komunën e Istogut në balotazh do të përballen Ilir Ferati dhe Bekë Berisha. Komuna e Klines shkon në balotazh. Në komunën e Kamenicës. Në Mitrovicën e Jugut kryetar është zgjedhur Bedri Hamza, i cili ka kaluar në raundin e parë. Komuna e Podujevës do të shkojë në balotazh, me kanidatët Shpejtim Bulliqi nga LVV dhe Ekrem Hyseni nga LDK. Komuna e Prishtinës do të shkojë në raundin e dytë ku do të përballen Arben Vitia (42.54 përqind) dhe Përparim Rama (29.17 përqind). Në komunën e Prizrenit në raundin e dytë me kandidatët Mytaher Haskuka dhe Shaqir Totaj. Komuna e Skenderajt kalon me kryetar Fadil Nurën nga PDK. Komuna e Shtimes shkon në raundin e dytë. Komuna e Suharekës kalon në raundin e parë më kryetar Bali Muharremaj. Komuna e Ferizajt kalon në raundin e parë me fitues Agim Aliun. Komuna e Vushtrrisë shkon në raundin e dytë me kandidatë Xhafer Tahiri dhe Ferit Idrizi”, tha ai.
Radoniqi tha se partitë politike kanë afat prej 24 orësh që të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP lidhur me rezultatet përfundimtare.
Kurse përshpejtim të shpalljes së rezultateve për asamblenë komunale, kërkoi anëtari i KQZ-së, Florian Dushi.