2023 vit zgjedhor për PDK-në, Bashota flet për zgjedhjet brenda partisë dhe dorëheqjen e Bujës

Viti i ardhshëm pritet të jetë vit zgjedhor për Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo për faktin se në këtë subjekt pritet të organizohen zgjedhjet brenda strukturave partiake.

Sokol Bashota një nga themeluesit e këtij subjekti, njëherësh anëtar i kryesisë së partisë më të madhe opozitare ka thënë se vitin në vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet e rregullta.

“Janë zgjedhjet e rregullta brenda partisë. Ende nuk është vendos kur, është pak herët. Vitin e ardhshëm do të duhej të mbaheshin”, ka thënë Bashota për Indeksonline.

Sa i përket dorëheqjes së Ramë Bujës nga pozita e nënkryetarit, Bashota ka thënë se nuk e dinë relacionin që ka me Memli Krasniqin.

“Ramë Buja është tërheq nga anëtari i kryesisë, por mbetet anëtar i Këshillit Drejtues dhe besoj se do ta jep kontributin e tij. Arsyet i ka bërë publike dhe nuk dua t’i komentoj. Është një zgjidhje e tij. Gjithsesi, ai është meritor në krijimin e PDK-së dhe ka dhënë një kontribut të çmueshëm në fuqizimin e partisë. Ramë Buja mbetet gjithmonë me PDK”, ka thënë ish kryetari i Klinës.

Për dorëheqjen e Bujës pati reaguar edhe Nijazi Kryeziu, ish këshilltar i Kadri Veselit, i cili në një shkrim në Facebook, kishte kërkuar nga kreu i PDK-së të mos hesht dhe të mos t’i duket vetja që është më i madh se Hashim Thaçi apo Kadri Veseli.

Kujtojmë se Memli Krasniqi është zgjidhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës më 3 korrik të vitit të kaluar.

/Indeksonline/