Mbi 2 mijë shtetas shqiptarë, marrin pensione të veteranit në Kosovë. Të njëjtit i janë bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Front Online.
Por marrja e një pensioni të tillë, sipas kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, nuk është e drejtë. Kjo pasi që sipas Gucatit, të njëjtit marrin pension edhe nga Shqipëria.
“Janë mbi 2 mijë veteranë që marrin pensione nga territori i Shqipërisë. Kur kam pasur një takim me drejtorin e pensioneve, kam biseduar me të se është mirë që të bëhen të gjitha verifikimet, që siç kam informacione, ata i marrin dy paga, një në Kosovë dhe një në Shqipëri. Nëse janë të atillë atëherë duhet të jetë ligji i barabartë si për qytetarët e Kosovës ashtu edhe për ata të Shqipërisë”, ka thënë Gucati për Front Online.
Sipas tij, në këtë rast veteranëve të Kosovës u bëhet padrejtësi, pasi që të njëjtit nuk kanë të drejtë për marrjen e dy e më shumë pensioneve.
“Veteranët tonë të Kosovës nuk kanë të drejtë për dy paga. Kanë të drejtë ose pagën e veteranit, ose atë që punon dhe për dy pensione nuk ka të drejtë. Çdo respekt për punën e tyre, për ndihmën që e kanë dhënë dhe për punën që e kanë bërë, por dy paga ata me i marr, e qytetarët tonë apo veteranët tanë me e marr një pagë, kjo është e padrejtë”, ka thënë ai për Front Online.
Kësisoj, ai tha se në rast se atyre u hiqet pensioni nga Kosova, atëherë do të mbrohej edhe buxheti i vendit.
“Unë jam kundër kësaj dhe do të jem gjithmonë që nëse i marrin dy paga ata, tu hiqet njëra. Nëse u hiqet paga jonë e veteranit, atëherë buxheti jonë do të jetë më i madh sesa e kemi sot. Unë jam ithtar i asaj pune, që sa më parë të formohet një Komision dhe të punojmë”, ka thënë Gucati për Front Online