Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka konfirmuar se nga llogaria e Thesarit të Shtetit janë keqpërdorur 2.1 milionë euro dhe se personi i arrestuar punonte në thesar që 11 vjet.
Ajo në një konferencë të jashtëzakonshme për media sot ka bërë të ditur se bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta që kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik.
Ajo tha se mjetet janë marrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe janë bartur tek një operator privat.
“Për momentin kemi kërkesë që të mos japim informata që të mos dëmtohet rasti. Njëri është i suspenduar se ka qenë në vijë raportuese. Zyrtarët janë të Thesarit, i arrestuari punon në thesar që 11 vjet, tjetri është eprori i tij. Më datën 9 tetor kanë ndodhur transaksionet dhe mjetet nga një ministri tjetër janë bërë pagesa te ky operator privat. Krejt procedura e hetimit ka filluar dje. Mjetet janë marrë nga Ministria e Infrastrukturës”, tha ajo.