Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme rreth orës 19:30, një person i moshës 18 vjeçare duke manipuluar me një pushkë gjuetie, aksidentalisht ka humbur jetën.
“Dyshohet se i ndjeri M.B. (2002), nga Gjilani, gjersa kishte qenë në shtëpinë e babait të tij, në fshatin Tërsten, komuna e Kamenicës, duke manovruar me një armë gjuetie të llojit ‘’Magnum’’, e njëjta aksidentalisht kishte shkrepur, duke i shkaktuar lëndime në pjesën e majtë të kokës, si pasojë e të cilave ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë prokurori kujdestar, policia dhe mjeku kujdestar, i cili edhe e ka konstatuar vdekjen e tij, ndërsa rasti është cilësuar si ‘’Vetëvrasje aksidentale’’.
Prokurori i rastit, ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i të ndjerit, të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për kryerjen e obduksionit./