Vitin e kaluar ish-zyrtarja policore nga Gjilani, Valdete Bllaca kishte vrarë katër anëtarët e familjes së saj dhe më pas veten me armën zyrtare. Bllaca, sipas mjekëve vuante nga çrregullimet mendore. Por edhe shumë ish-kolegë të së ndjerës nga ky institucion i sigurisë kanë probleme të rënda shëndetësore.
Në një përgjigje me shkrim për Sinjalin, Policia e Kosovës kanë dhënë detaje se sa është numri policëve që kanë probleme të rënda shëndetësore dhe sa prej tyre u është marrë arma zyrtare.
“Numri i zyrtarëve policorë të liruar nga pajisjet profesionale policore, arma dhe uniforma për shkaqe shëndetësore, janë 18 zyrtarë policorë. Numri i zyrtarëve policorë me probleme të rënda shëndetësore është 284 “, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli këta zyrtarë po e vazhdojnë punën ani pse janë në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të mungesës së Ligjit për Pensionim të Parakohshëm.
“Duhet të bëhet ligji për pensionim të hershëm siç e ka edhe FSK-ja. Kemi këruar edhe pensionin invalidor. Propozimi jonë ka gjetë përkrahje, por nuk është realizuar as pensionimi i hershëm e as invalidor. Qeveritë po na ndryshojnë, por shkresë kemi bërë edhe zotime kemi marrë por kjo nuk ka ndodhur”, potencoi Tasholli për Gazetën Sinjali.
Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala konsideron që Ligji për Pensionim të Parakohshëm do t’i zvogëlonte në masë të madhe rastet kur zyrtarët policorë detyrohen të punojnë me telashe shëndetësore.
“Pra referuar Policisë kemi një numër të madh të personelit ku edhe në kuadër të saj ka zyrtarë të uniformuar që kanë probleme shëndetësore të cilat e atakojnë funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punës zyrtare. Duhet që të jetësohet Ligji për Pensionim të Parakohshëm si dhe ai për sigurim shëndetësor dhe në drejtimin e brendshëm të ri-organizmit strukturor të atyre pjesëtarëve që nuk e kalojnë shkallën e invaliditetit shëndetësor 15 për qind të sistemohen në punët administrative, ndërsa ata të tjerët me shkallë më të lartë të gëzojnë benificione bazuar në ligjet e aplikueshme për një pensionim të parakohshëm”, theksoi Shala për Gazetën Sinjali.
Sinjali ka tentuar për këtë temë të flasë edhe me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliun, për ta pyetur se pse nuk është jetësuar Ligji për Pensionim të Parakohshëm për Policinë, por ai nuk i është përgjigjur telefonatave.