Kosovarët do t’u drejtohen kutive të votimit më 17 tetor. Subjektet politike kanë filluar t’i bëjnë publike kandidaturat e tyre për kryetarë komunash, me përjashtim të LVV-së që nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, duke folur në lidhje zyrtarizimin e kandidatëve, tha se 16 gushti është afati i fundit kur subjektet politike mund të aplikojnë për t’u certifikuar për zgjedhjet e 17 tetorit.
Cakolli theksoi se gjatë kësaj periudhe kohor subjektet politike duhet t’i bëjnë publike edhe kandidaturat me të cilat garojnë në zgjedhje.
“Tashmë kemi hyrë në dy javët e fundit të afatit ligjor, prej gati dy muajsh sa ka qenë i përcaktuar nga KQZ-ja, gjatë të cilit subjektet politike duhet të aplikojnë për tu certifikuar në zgjedhje. Përkatësisht duhet të tregohen edhe kandidaturat e tyre për komunat përkatëse ku ata do të garojnë. Në bazë të planit operacional të miratuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 16 gushti është afati i fundit që subjektet politike kanë në dispozicion për të aplikuar në mënyrë që të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit. Pas përmbylljes së këtij afati, KQZ-ja do të ketë kohë afërsisht 2-3 javë për t’i verifikuar të njëjtit, dhe për t’i dërguar shkresat nëpër institucionet përkatëse. Deri me 1 shtator është data e fundit që KQZ-ja të marrë vendim për tu certifikuar ose për të mos u certifikuar kandidatët e subjekteve politike”, ka deklaruar Cakolli për gazetën Blic.
Tutje Cakolli tha se jo të gjitha kandidaturat e bëra publike do të certifikohen nga KQZ-ja, pasi janë disa filtra të kontrollit.
“Përkundër faktit se deri më tani një pjesë e madhe e subjekteve politike kanë shpallur disa kandidatura, jo të gjitha këto kandidatura do të certifikohen nga KQZ-ja, për shkak se janë disa filtra të kontrollit dhe të verifikimit të cilat duhet të zbatohen përpara se të njëjtit të certifikohen si kandidat, qoftë për të parin e komunës apo edhe për Kuvendet komunale. Konkretisht duhet të njëjtit të kenë banuar të paktën tri vite në komunën përkatëse, që është kushti i parë për të garuar në zgjedhjet lokale, dhe së dyti janë kriteret ligjore” deklaroi ai.