Një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin e Klinës po bëhet realitet. Rruga e transitit Klinë – Skenderaj – Istog, e cila synon të lehtësojë qarkullimin dhe të përmirësojë lëvizjen e qytetarëve, tashmë është në fazën e ndërtimit.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka vizituar punimet në LOT 2 së bashku me drejtorin e Urbanizmit, Enver Berisha, për të parë nga afër progresin dhe dinamikën e ndërtimit. Ai ka kërkuar nga operatori ekonomik që punimet të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që të krijohen kushtet për asfaltimin e rrugëve dytësore dhe kyçjeve në rrugën kryesore.
“Loti 2 i rrugës transit ka një gjatësi prej 1550 metrash rrugë, dy ura, ndërsa do të ketë edhe trotuar dhe shteg për biçikleta. Vlera totale e projektit është rreth 8.5 milionë euro, ndërsa LOT 2 ka një vlerë prej 1 977 619.35 eurosh”, ka shkruar Elezaj në postimin e tij në FB.
Ky projekt realizohet në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes Komunës së Klinës dhe MMPHI-së, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.
Kryetari Elezaj ka falënderuar institucionet qendrore për bashkëpunimin dhe financimin e këtij investimi madhor.
Ndërtimi i kësaj rruge pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin urban dhe ekonomik të Klinës, duke përmirësuar lëvizshmërinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.