Pejë- Gjykata Themelore e Pejës i ka dënuar me 12 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë (së bashku) tre zyrtarët komunalë të Klinës, Lorenc Marleku, Ali Gashi dhe Nazif Gashi, lidhur me akuzën për korrupsion.
Shpallja e këtij aktgjykimi, është bërë të hënën nga kryetari e trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Lorenc Marleku, për veprën e parë “Keqpërdorim i pozitës zyrtare” në bashkëkryerje u dënua me 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Për pikën e dytë të aktakuzës ku po ashtu ngarkohej për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, u dënua me 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Po ashtu, edhe për pikën tjetër të aktakuzës u dënua me 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Ndaj Marlekut, gjykata shqiptoi dënim unik me 5 vjet burgim dhe 4 mijë e 500 euro gjobë.
Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 15 korriku 2021 deri më 14 shtator 2021.
I akuzuari Ali Gashi për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” në bashkëkryerje u dënua me 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Edhe për pikën tjetër të aktakuzës ku ngarkohej për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, Gashi u dënua me 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.
Ndaj të akuzuarit Ali Gashi, gjykata shpalli dënim unik me 4 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit Gashi do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 15 korrik 2021 deri më 14 shtator 2021.
Kurse, i akuzuari Nazif Gashi, për veprën penale të kryer në vazhdimësi “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, u dënua me 3 vjet burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.
Edhe të akuzuarit Gashi, në dënimin me burgim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Po ashtu, të akuzuarve secilit veç e veç iu shqiptua dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej 3 viteve.
Ndryshe, më 3 tetor 2022, ish-drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Lorenc Marleku, udhëheqësi i Sektorit të Ndërtimit dhe Banimit, Ali Gashi dhe inspektori i ndërtimit të Komunës së Klinës, Nazif Gashi, u deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat për korrupsion.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 korrik 2022 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Lorenc Marleku dhe Ali Gashi akuzoheshin se lëshuan leje ndërtimore në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Rregullues Urban. Merlaku ngarkohet edhe se në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat, i lejon investitorit të ndërtojë objekt në kundërshtim me distancën e paraparë, e më pas ndryshoi vendimin paraprak duke zbritur distancën e largësisë së objektit nga vija hekurudhore. Kurse, Nazif Gashi akuzohet se në cilësinë e inspektorit të ndërtimit, mundësoi ndërtimin e objekteve në kundërshtim me kushtet dhe lejen ndërtimore.
Me këtë, ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.