Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur rreth orës 14 e 30 minuta në lagjen “Veternik” të Prishtinës.
Në aksident janë përfshirë 12 automjete dhe janë lënduar 11 persona. Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnlinen, zyrtarja për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se në “Veternik” ka ndodhë një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 vetura. Bazuar në të dhënat e deritashme, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 11 persona”, ka thënë Ahmeti për IndeksOnline.
Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor./IndeksOnline/