Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 114 aktakuza për vepra të ndryshme penale, ku përfshihen 149 persona.
Lajmi u bë i ditur përmes raportit 24 orësh të Prokurorisë së Shtetit, ku thuhet se shtatë prej tyre janë për dhunë në familje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në raport thuhet se me urdhër të prokurorëve, 14 persona janë ndaluar për 48 orë, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale si dhe është bërë një kërkesë për caktim të masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar ndaj një personi dhe dy kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj dy dyshuarve për vepra të ndryshme penale.
Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave për veprën penale “Dhuna në familje”.
Kurse, Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur katër aktakuza kundër katër personave për “Dhunë në familje” dhe një aktakuzë kundër tre personave për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Dëmtimi i pasurisë”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.