Kosova po përjeton një rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19 njëkohësisht me lehtësimin e masave kundër përhapjes së tij.
Të shtunën mbrëma autoritete konfirmuan 53 raste të reja pas 313 testeve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se 18 raste janë nga komuna e Vushtrrisë, 18 nga komuna e Prishtinës, 11 nga komuna e Istogut, 3 raste nga komuna e Rahovecit, dhe nga 1 rast në Fushë Kosovë, Viti dhe Pejë.
Një ditë më parë autoritetet konfirmuan 58 raste.
Deri të shtunën mbrëma janë konfirmuar 1 mijë e 437 raste, nga të cilët 32 veta kanë humbur jetën, ndërsa 928 janë shpallur të shëruar.
“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike, private, posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjenci, kompani tregtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetëizolim dhe bartja e maskave është obligative”, thuhet në një njoftim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.