Gjashtëdhjetë e tetë mijë studentë kanë aplikuar deri më tani për t’u bërë pjesë e pakos mbështetëse ku Qeveria e Kosovës kishte bërë të ditur se do t’i përkrahë me nga 100 euro shtesë, e që sipas zëdhënësit të qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu pritet të dalin javën tjetër.
Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka thënë se shtesat për punëtorët e sektorit privat deri më tani Ministria e Financave i ka ekzekutuar 220 mijë pagesa, derisa për ata të cilët ende nuk i kanë pranuar 100 eurot, këtë muaj do të trajtohen aplikimet e tyre të cilët kanë qenë të regjistruar deri në muajin mars.
“Në total janë regjistruar 68 mijë aplikime. Komisioni për verifikimin e aplikimeve ka filluar punën këtë javë. Synojmë që ekzekutimi i shtesave prej 100 eurove për studentë të fillojë gjatë javës tjetër. Sa i përket shtesave për punëtorët e sektorit privat deri më tani janë ekzekutuar mbi 220 mijë pagesa. Këtë muaj do të trajtohen edhe aplikimet e bëra nga punëtorët që janë regjistruar në mars të këtij viti dhe që kanë qenë aktiv në llogaritë e ATK për tre muaj rresht, ashtu siç ishte paraparë edhe në thirrjen 21 prillit,” ka thënë Kryeziu.
Tutje, nga qeveria kanë thënë se punëtorët e sektorit privat që kanë aplikuar por që ende nuk kanë pranuar në llogaritë e tyre shtesat prej 100 euro, shumë shpejt do të pranojnë arsyet e refuzimit dhe do të kenë mundësinë të qasen në formularin e ankesave për të paraqitur ankesën e tyre./