Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, ka pritur në takim hoxhën Halil Kastrati dhe përfaqësues nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, me të cilët kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për ndërtimin e 10 shtëpive të reja për 10 familje nevojtare të Komunës së Klinës.
Kryetari Elezaj ka theksuar se ndihet shumë i lumtur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi dhe ofroi mbështetjen e plotë të komunës në realizimin e suksesshëm të këtij projekti.
Elezaj theksoi se nevojat e qytetarëve janë të mëdha dhe shprehi falënderim për humanistin Halil Kastrati dhe shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për gatishmërinë e bashkëpunimit.
Ndërsa, hoxha Halil Kastrati vlerësoi bashkëpunimin e mirë që kanë pasur në të kaluarën me Komunën e Klinës dhe falënderoi kryetarin për korrektësinë e treguar.
Kjo marrëveshje parasheh ndërtimin e 10 shtëpive sipas modelit me çelësa në dorë, për familjet me kushte të rënda ekonomike dhe të cilat nuk kanë kushte minimale banimi.
–