Numri 10 tani u bë sinonim i emrit të Rexhep Selimit. Gjatë luftës shifra 10 simbolizonte vetë Gjeneralin. Ishte shifër e komunikimit me njësitë dhe në radiolidhje.
10-shi i UÇK-së u bë numër edhe i votimit për Rexhep Selimin, si në zgjedhjet e mëhershme, ashtu edhe të tanishme. Ai në këto zgjedhje është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje pikërisht me këtë numër, pra numrin 10.
Biografi e shkurtër e Gjeneralit:
Rexhep Selimi u lind më 15 mars 1971 në Aqarevë, Skenderaj. Shkollimin fillor e përfundoi në Klinë, ku më pas mbaroi edhe shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”. Studimet universitare i kreu në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë shqipe.
Ai ishte themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Më 28 nëntor 1997 ai ka bërë paraqitjen e parë publike të UÇK-së. Në kuadër te SHP të UÇK-së ka udhëhequr Drejtorinë e Operacioneve (1998) dhe ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së (1998-1999).
Gjatë viteve 1999-2000 ka qenë Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Gjatë viteve 2000-2003, Rexhep Selimi ka qenë Komandant i Akademisë së Mbrojtjes dhe Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në TMK. Rexhep Selimi ka gradën Gjeneral Major.
Në vitin 2010 i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe zgjidhet deputet tre herë radhas (Legjislatura IV, V dhe VI). Rexhep Selimi ka qenë anëtar i komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së./Klina.info/