Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fidan Hoxha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 15.04.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 15.05.2021,, ndaj të pandehurit A.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 par.1 pika 1.3 të Kodi Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.Q., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– I pandehuri A.Q., me datë 15 prill, në orët e mesditës, në Prizreni, për shkak te mosmarrëveshjeve paraprake me te dëmtuarën – bashkëshorten e tij, rreth një televizioni, i dyshuari e sulmon te dëmtuarën – bashkëshorten e tij duke e goditur me grushte ne pjesë të ndryshme te trupit, duke i shkaktuar lëndime të renda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.Q., duke marrë parasysh faktin se hetimet janë në fazën fillestare, gjithashtu Gjykata ka marrë parasysh edhe deklarimin e të dëmtuarës sipas së cilës i pandehuri edhe më parë ka ushtruar dhunë dhe e ka keqtrajtuar atë.
Andaj, nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i ligjshëm dhe i domosdoshëm, pasi që në rastin konkret kemi të bëjmë me veprën penale të lëndimit të rëndë trupor ku viktimë është personi i ndjeshëm dhe i pandehuri është në marrëdhënie familjare, me të cilën vepër penale kanoset apo dëmtohet integriteti trupor i njeriut si një nga të drejtat elementare e fondamentale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.