Kosova ka fituar betejën kundër korona virusit, por jo edhe luftën. Lehtësimi i masave nuk nënkupton fitoren ndaj virusit dhe kthimin në normalitet. Vendi nuk do të ketë mundësinë që të kthehet në normalitet, ashtu siç ka qenë me 12 mars, një ditë para konfirmimit të rasteve të para. Mikrobiologu Lul Raka deklaron se zhdukja e tërësishme e pandemisë Covid-19, mund të bëhet vetëm pasi të zbulohet vaksina, e që mund të zgjasë deri një vit.
Raka thotë se është e pritshme që ditëve në vijim të ketë rritje të lehtë të rasteve, gjë për të cilën sipas tij, duhet që të përgatitemi në mënyrë që të bashkëjetojmë me virusin, por duke pasur kujdes maksimal.
“Ditëve të fundit, sidomos javën e fundit kemi pasur ulje të madhe të rasteve të reja, dhe ka pasur rritje të rasteve të personave të shëruar. Kemi pasur 87 me 1, (1,4,1), i kemi pasur rastet ditëve të fundit. Kurse numri 8 dje i djeshëm, ky numër është i pritshëm nëse merret parasysh që me lirimin e masave dhe nëse marrin parasysh edhe daljen e njerëzve që ka pasur ditën e parë, rezultati shihet për periudhën më të shpejtë të inkubimit, ajo është pesë ditë deri në gjashtë ditë. Është i pritshëm, një rritje e lehtë e rasteve”, thotë Raka.
Raka shprehet kritik me mosrespektimin e masave ditëve të fundit. Sipas tij, paraqitja e numrit më të vogël të rasteve, nuk do të thotë që qytetarët të relaksohen dhe të kthehen në normalitet. E nëse të njëjtit do të veprojnë kështu, ai paralajmëron se do të ketë rritje enorme të rasteve ditëve në vijim.
“Me atë që kemi përmend edhe ditëve të fundit, sidomos gjatë dy javëve të fundit ka qenë se virusi është ende këtu pari. Dhe ne nuk e kemi fituar luftën, e kemi fituar betejën. Një betejë të fazës së parë, e cila ka qenë e menaxhueshme. Dhe nëse i shihni shifrat të rasteve të hospitalizuara dhe të vdekjeve krahasuar me shtetet tjera, do të thotë qëllimi kryesor i masave restriktive ka qenë që të mbahen dhe të mos tejkalohen kapacitet e menaxhueshme të Kosovës. Por, kjo assesi nuk do të thotë që lirimi i masave nuk e kupton fitoren ndaj virusit dhe kthimin në normalitet. Nuk ka kthim në normalitet në datën e 12 marsit, një ditë para se me u vërtetu rasti i parë”, shton ai.
Mikrobiologu Lul Raka konsideron se për daljen masive të qytetarëve në ambiente të hapura, rezultatet nuk do vërehen për 24 orë, por pasojat e neglizhencës së tyre, do të vërehen 14 ditë më vonë.
“Unë apeloj që të kenë kujdes, sepse normalisht nuk mund të mbesim mbyllur derisa ta gjejmë vaksinën edhe duhet me u liru masat. Mirëpo ky lirim i masave duhet të shkoj me përgjegjegjësinë e qytetarëve për të zbatuar masat parandaluese. Në mënyrë që të mos ketë rritje enorme. Në mënyrë që të mos ketë edhe rritje të numrit të atillë, i cili i tejkalon kapacitet menaxhuese të Kosovës”, thekson Raka.
Në sezonin vjeshtore Kosova do të ballafaqohet me dy armiq, atë të koronavirusit dhe gripin sezonal.
“Në sezonin tjetër kur të fillon, edhe Kosova edhe secili shtet në botë, do të ketë kohë të mjaftueshme që këta 3-4 muaj që të përgatiten maksimalisht për rastet e reja. Kjo nënkupton që të sigurohen me kohë testet diagnostike me të cilat do të gjurmohen, identifikohen dhe izolohen pacientët që të siguroni kapacitet tjera shtuese, menaxhuese në radhë të parë respiratorët. Dhe e treta me sigurua pajisje personale mbrojtëse…Këto janë mundësitë të përgatitjes më të mirë që në valën e dytë gjithsesi virusi do të ketë më pak hapësirë që të prek. Sepse tash ka prekur një pjesë të njerëzve. Dhe për këtë arsyeje mendoj që duke u përgatitur kapacitet shëndetësore, duke u fuqizuar më tepër se sa që kemi sot, mendoj që përgjigjja jonë do të jetë shumë më efikase. Në sezonin vjeshtore-dimërore, bashkë me Covid-in e kemi edhe gripin sezonal, kështu që kemi dy armiq”, thekson Raka.
Në rast se gjatë këtyre ditëve do të ketë numër të madh të paraqitjes së rasteve, Raka konsideron se duhet të vazhdojnë masat e rrepta deri në fund të muajit.
Mikrobiologu Lul Raka, dje është shpallur “Evropiani i Vitit” për vitin 2020. Çmimi iu nda nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në Ditën e Evropës.
Raka këtë çmim po e ndan me të gjithë qytetarët e Kosovës për arsye se sipas tij, kanë ndjekur rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë në luftën ndaj korona virusit.
“E kam ndarë me gjithë kolegët, të cilët kanë bërë punë të jashtëzakonshme dhe jo vetëm, jo vetëm në fushën e shëndetësisë por në të gjitha fushat tjera, me arsim, polici, e FSK…Gjithë e kanë luajtur rolin e vet në këtë pandemi, mirëpo mendoj që kryefjala është qytetari i Kosovës, i cili i respekton këshillat dhe udhëzimet të cilat i ka dhënë ministria, instituti dhe gjithë punëtorët shëndetësorë. Kemi parë që mos respektimi prej një individi kjo reflektohet me dhjetëra dhe qindra raste në komunitet” deklaron ai.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 870 raste me Covid-19, prej tyre 653 janë shëruar, ndërsa 28 kanë humbur” betejën” e luftimit të kësaj sëmundje.