Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur tubim me qytetarë e struktura në qytetin e Klinës, ku ka thënë se për gjashtë muaj qeverisje kanë dëshmuar që dinë të menaxhojnë dhe rimëkëmbin ekonominë e vendit.
Hoti ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në Klinë për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilëve u ka premtuar reforma në arsim e shëndetësi e gjithashtu ka thënë se ky vit duhet të përmbyllet me liberalizim të vizave.
Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, njohjen nga Izraeli e vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës me ushtrinë amerikane, i ka përmendur Hoti si suksese të qeverisë që ai e ka drejtuar, duke shtuar këtu ndihmën për bizneset dhe qytetarët e goditur nga pandemia.
“Duhet të përmbyllet viti me liberalizim të vizave, nuk japim premtime për data por ne punojmë ditë e natë me krejt qeveritë e vendeve të BE-së si anëtare te partive popullore evropiane. Dhe t’i kthehemi reformës në arsim, reformave në shëndetësi, reformave në ekonomi… Kemi pasur një qeverisje gjashtë-shtatë mujore ndoshta më të vështirën në periudhën 29-vjeçare për shkak të pandemisë kryesisht, por kemi dalë me rezultate më të mira që ka pasur ndonjëherë në qeveri tash më tash, edhe në menaxhimin e pandemisë edhe në rimëkëmbjen ekonomike duke ofruar qytetarëve dhe bizneseve mbështetjen e nevojshme me pakon më të madhe të rimëkëmbjes ekonomike në tërë rajonin”, tha Hoti.
Në Klinë, Hoti ka thënë se dy kryeministrat para tij nuk kanë pasur guxim e vizion të përballën me çështje të mëdha dhe t’i dalin në mbrojtje shtetit.“Njëri duke vendosur taksë 100% duke bllokuar veten dhe vendit, tjetri duke imagjinuar harta dhe thika dhe u izolua vendi e morëm sanksione. Për disa javë në qeverisjen tonë ne kemi shkuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe për mua ka qenë bukur e lehtë për ta bërë atë punë, sepse e ka trasuar rrugën presidenti Rugova. Partnerët tanë e kanë ditur, prej Uashingtonit në Berlin, e gjithkund nëpër Evropë e kanë ditur se po flasin me një kryeministër të LDK-së, të presidentit Rugova. Ne kërkojmë mbështetjen tuaj për të vazhduar rrugën që kemi nisur”, tha Hoti.Sipas Hotit, kandidatët nga partitë e tjera që po synojnë postin e kryeministrit nuk po ballafaqohen në debat, pasi nuk kanë program për të ofruar.
I kam ftuar gjatë këtyre ditëve këta të tjerët t’i ballafaqojmë programet tona, të flasim edhe për qeverisjen tonë gjashtëmujore dhe programet për katër vitet e ardhshme, asnjëri nuk është i gatshëm sepse nuk kanë çka të ofrojnë. Japin premtime kot, të pamenduara, që nuk kanë asnjë logjikë elementare, sepse nuk kanë përmbajtje. Shihni listat e tyre, lista të mbushura me ekstremistë të të gjitha formave, njerëz që e kanë idol komunizmin dhe Enver Hoxhën. Disa kolegë tonë, ish-kolegë tonë i janë bashkuar asaj liste, është zgjedhje e tyre, në vend se të jenë bashkë me gra e burra të LDK-së, njerëzit më të mirë profesionistë, akademikë, njerëz me integritet, është zgjedhje e tyre”, tha Hoti.Ndryshe, tubimi i LDK-së në Klinë u mbajt pa respektuar masat antiCOVID.