Me dhjetëra instruktorë e pronarë të Auto-Shkollave po protestojnë sot para objektit të Ministrisë së Infrastrukturës.
Janë rreth 300 auto-shkolla në Kosovë, të cilat ka tash e më shumë se dy muaj që nuk kanë ushtruar veprimtaritë për shkak të pandemisë Covid-19.
Ata thonë se po ndihen të neglizhuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndonëse as në fazën e tretë të lehtësimit të masave nuk po u lejohet që të punojnë dhe për këtë po thonë se kanë pasur humbje të madhe.
Kryetari i Federatës së Auto-shkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli tha se janë neglizhuar nga Ministria e Infrastrukturës, në përfshirjen e kësaj veprimtarie në fazën e tretë të lehtësimit të masave. Për këtë tha se kanë dërguar disa shkresa në ministri, por që të njëjtit nuk u janë përgjigjur.
“Ne kemi bërë edhe shkresa që të fillojmë edhe ne. Kur kanë lejuar që të fillojnë çerdhet, transporti me udhëtarë, autobusë, taksistë. Neve ende nuk kanë lejuar ta ushtrojmë veprimtarinë tonë dhe të kryejmë obligimin e kandidatëve, të cilët janë regjistruar në auto-shkolla dhe janë duke pritur që sa kohë. Edhe në këtë pjesën tjetër nuk na kanë përfshirë dhe nuk na u kanë përgjigjur asgjë Ministria e Infrastrukturës. Megjithëse ne disa shkresa i kemi dërguar”, është shprehur Cakolli.
Cakolli tha se është një numër i madh i kandidatëve të cilët kanë aplikuar më 8 mars për patentë-shoferit, por që ende nuk kanë filluar as me mbajtjen e orëve teorike. Ndër të tjera ai tha se janë duke paguar poligon, derisa nuk e paguajnë.
“Humbjet janë të mëdha sidomos ne kemi llogaritur 800 punëtorë ka dy instruktorë. Secila auto-shkollë i ka pesë, humbjet janë të paevitueshme, e sidomos ne pagesën e poligoneve që nuk na kanë futur në këtë në këtë fazën emergjente. Ne paguajmë poligon 350 m2 diku, duhet të ketë një poligon. Dhe këtë hiç nuk e kanë llogaritur ministria”, tha ai.
Gjyla Ibrahimi, instruktore, shpreh shqetësimin për mos fillimitë punës, derisa shton se halli i tyre nuk ka të bëjë me politikën.
“Neve jemi bllokuar me punë dhe edhe pse kemi bërë kërkesë edhe për ligjëratën online, do të thotë pjesën teorike edhe kemi bërë kërkesë me shkrim, mirëpo askush nuk na është përgjigjur. Ne jemi të ngujuar do të thotë edhe pse veprimtaria jonë hyn në grupin e shkollimit. Ne tatimohemi si biznes prjvat. Mirëpo neve na ndalohet puna. Ky është shqetësimi ynë, veç puna”, ka deklaruar ajo.
Ibrahimi thekson se një auto-shkollë ka së paku 100 kandidatë të regjistruar të cilët janë në pritje të fillojnë mbajtjen e orëve teorike.
Pronarë të auto-shkollave dhe instruktorë të shumtë po presin para objektit të Ministrisë së Infrastrukturës që të takohen me përfaqësues të këtij dikasteri.