Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit.
Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, duke shprehur bindjen për fitoren e LDK-së, tha se kjo parti është parti e qytetarëve, ndërsa, të tjerat parti janë të pronarëve. Osmani në hapje të fushatës tha se fitorja e LDK do të jetë historike.
“Tash fillojmë me fitoren historike të LDK-së dhe të Kosovës. Natyrisht që fitorja e LDK-së është edhe fitorja e Kosovës. LDK është e vetmja parti e qytetarëve, sepse të tjerët janë parti me pronarë. Tash e tutje qytetarët do t’i shohin veprat tona dhe punë të tona të ndershme, për të cilat do të krenohet secili prej tyre”, tha Osmani.
Ndërsa, shefi i shtabit zgjedhor në LDK, Lutfi Haziri duke ftuar simpatizantët e LDK në tubimin elektoral për të prezantuar kandidatët për deputet, tha LDK do të jetë fituese në këtë zgjedhje, ndërsa, pati një porosi për partitë tjera, përcjell KP.
“Sot në orën 19:00 në mbrëmje, Prishtina, zbritni në shesh në papuqe… Manifestiki më i madh që ka me ndodhë sot në Prishtinë, është falë juve, ne ju mirëpresim, e atyre të tjerëve ju themi: fleni – fleni”, tha Haziri.
Fushata zgjedhore zgjatë dhjetëditëshe, zgjatë deri më 4 tetor, derisa zgjedhjet parlamentare mbahen më 6 tetor.