Të pakënaqur me grante dhe mos mbështetje të mjaftueshme institucionale, një numër i bujqve nga rajone të ndryshme të Kosovës, të udhëhequr nga Federata Sindikale e bujqve të Kosovës (FSBK), për rreth një orë kanë protestuar të premten me makineritë e tyre bujqësore, para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar luftim të keqpërdorimeve si dhe përkrahje për sektorin e bujqësisë.
Ndër kërkesat e tyre ishin luftimi i keqpërdorimeve, zhvillim të sektorit të bujqësisë, mbrojtje të bujkut si dhe mbrojtje te prodhimtarisë bujqësore të Kosovës.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqësisë, Tahir Tahiri tha se sektorin e bujqësisë të gjithë po e lënë në mëshirë të importit.
Ai theksoi se për këto parregullsi në këtë sektor kërkojnë përgjegjësi dhe hapje të hetimeve nga prokuroria.
“Për bujkun dhe prodhimtarinë e Kosovës krejt njëjte janë duke vepruar, po e lënë bujqësinë ne mëshirë te importit, keqpërdoruesve dhe kushteve te këqija klimatike te pambrojtura. Ne duam luftimin e keqpërdorimeve, zhvillim të sektorit të bujqësisë, mbrojtje të bujkut si dhe mbrojtje te prodhimtarisë bujqësore të Kosovës…Kërkojmë përgjegjësi dhe hapje të hetimeve nga prokuroria për këto shkelje nga grupe te caktuara dhe në anën tjetër hapje të hetimeve ndaj përgjegjësve ne Ministri për mosveprim apo edhe veprim të kundërligjshëm”, tha ai.
Derisa flet për parregullsitë në sektorin e bujqësisë ai shtoi se, ka vonesa në shpallje të grandeve dhe subvencioneve në krahasim me vitin paraprak.
Nëse këto shpallje nuk përshpejtohen, ai shtoi se protestat do të vazhdojnë.
“Duam shpallje të menjëhershme të thirrjes për aplikim për grande dhe subvencione. Po kalon muaji qershor dhe ky ministër nuk ka shpallë thirrje për aplikim për grande dhe subvencione edhe pse në shkurt dhe mars i ka pasur te gatshme këto dokumente për shpalljen e thirrjes për fermer. Prilli i vitit 2020 do të duhet të ishte periudha e aplikimit për fermerët e Kosovës. Ne kërkojmë përgjegjësi për vonesat e bëra, për subvencionet e veçmas për grandet…Protestat do të vazhdojnë me intensitet më të shtuar dhe mund të jenë edhe më radikale”, deklaroi ai.
Menjëherë pas fillimit të protestës në takim doli ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, i cili tha se vonesat në shpalljen e granteve dhe subvencioneve janë shkaktuar për shkak të pandemisë.
Derisa bëri të ditur se sot do të nënshkruajë dy programe për grante dhe subvencione në vlerë prej 53 milionë, me ç’rast i bëri thirrje bujqve të aplikojnë.
“Sa i përket programeve atij të zhvillimit rural dhe programi i pagesave direkt është e vërtetë që sivjet po shpallën më vonë se vitet e kaluara, por viti 2020 nuk është vit i rregullte. Mos të harrojmë kemi pasur mbi 3 muaj karantinim, do të ishte jo morale nga ana ime që të insistoja që bujqit të aplikonin për grante dhe subvencione në kohën e karantinimit. Sot do të nënshkruaj dy programe për grante dhe subvencione në vlerë prej 53 milion eurove dhe ju ftoj të gjithëve që të aplikoni pastaj për këto dy programe. Sa i përket problemeve që janë shtresuar në ministri këto 10-15 viteve të fundit, unë pajtohem që duhet të analizohen dhe të raportohen në prokurori dhe polici ku dyshojmë që ka shkelje të ligjit. Për te gjitha këto do të përdorim rrugët ligjore”, tha ai.
Pas protestës, ministri Mustafa priti në takim përfaqësues të Federatës Sindikale të Bujqësisë, për t’i dëgjuar nga afër kërkesat e tyre.