Nga 16 persona sa tashmë janë konfirmuar që janë të prekur me koronavirus, vetëm 10 prej tyre janë të shtrirë aktualisht në Klinikën Infektive në Prishtinë. Në këtë klinikë thonë se gjendja e tyre është stabile dhe sot gjatë ditës do të lëshohen për në shtëpi dy prej tyre.
Më 13 mars në Kosovë u identifikuan rastet e para të prekur me Covid-19, e prej atëherë numri i të prekurve ka arritur në 16.
Në Klinikën Infektive janë të shtrirë vetëm dhjetë prej tyre, meqë gjashtë të tjera janë lëshuar në shtëpitë e tyre me udhëzimet e mjekëve.
Infektologu Valbon Krasniqi thotë se prej dhjetë pacientëve të shtrirë në klinikë, vetëm gjendja e 77 vjeçarit kërkon monitorim më strikt, meqë i njëjti herë pas here ka nevojë për oksigjen.
Megjithatë, edhe për atë, Krasniqi thotë se e ka gjendjen stabile.
“Aktualisht në klinikë kemi dhjetë pacientë të shtrirë, të konfirmuar se janë të prekur nga Covid-19, ndërkaq kemi edhe një numër të të personave të të tjerë të dyshuar që po mbahen derisa të marrim rezultatet, që kanë ardhur qoftë mbrëmë vonë, qoftë gjatë paradites së sotme. Gjendja e përgjithshme e këtyre 10 që janë të konfirmuar është stabile, është e mirë, të gjithë janë me terapi të caktuar varësisht nga gjendja e tyre shëndetësore herë pas herë ky i moshuari, pra pacienti 77 vjeçar ka nevojë për oksigjeno-terapi mirëpo jo në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë edhe gjendja e tij vazhdon të mbetët stabile por është në një monitoprim pak më strikt”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se nga dhjetë pacientë sa janë duke u trajtuar aktualisht, dy pr ej tyre do të lëshohen sot në shtëpitë e tyre.
“Disa prej tyre ne do t’i lirojmë gjatë ditës së sotme dhe kjo tregon se janë në gjendje të mirë. Saktë nuk mund të u them por me siguri dy po, në vazhdimësi ne përcjellim dinamikën e sëmundjes dhe deri në momentin që përgatitemi për me lëshua në shtëpi, atëherë ne edhe i lirojmë, por të paktën dy do t’i lirojmë”, thotë Krasniqi.
Qëndrimin në shtëpi, Krasniqi thotë se duhet ta bëjnë bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Institutit të Shëndetësisë Publike dhe Klinikës Infektive.
“Duhet ta bëjmë një dallim në mes të personave të infektuar dhe atyre të sëmurë. Ju mund të jeni i infektuar por nuk do të thotë domosdoshmërish që jeni i sëmurë dhe të keni nevojë për të qëndruar në spital…. Andaj shfrytëzoj rastin t’u bëjë thirrje të gjithë personave të tjerë, edhe atyre të kontaktit, përderisa nuk kanë simptome të sëmundjes, nuk kanë nevojë të vinë në Klinikën Infektive, në këtë mënyrë e ruajnë shëndetin e tyre, e kufizojnë lëvizjet dhe e zvogëlojnë edhe rrezikun ekspozimit edhe me persona dhe pacientë të tjerë në klinikë.
Ndërkohë në Klinikën Infektive në këtë periudhë po shkojnë dhjetëra persona për kontroll, për shkak të shqetësimeve që kanë.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë lajmëruar 60 persona që kanë dyshuar se mund të jenë të prekur, por vetëm 12 prej tyre janë ndalur për t’u ekzaminuar ndërkohë që 48 të tjerë janë lëshuar në shtëpi.
Në Kosovë është shpallur gjendje emergjente në sektorin e shëndetësisà « pas gjendjes së krijuar me Covid-19 ku numri i të infektuarve ka arritur në 16 persona.